Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se edhe gjatë sezonit të gjuetisë 2025–2026 nuk do të lejohet zhvillimi i aktiviteteve të gjuetisë në territorin e komunës.
Ky vendim është marrë në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës.
Sipas komunës, ndalimi i gjuetisë synon mbrojtjen e faunës së egër dhe ruajtjen e biodiversitetit në zonën e Podujevës.
“Ftojmë qytetarët, shoqatat e gjuetarëve dhe menaxherët e vendgjuetive që të respektojnë këtë vendim dhe të kontribuojnë në ruajtjen e natyrës dhe mjedisit të shëndetshëm në komunën tonë,” thuhet në njoftim.
Komuna ka paralajmëruar se çdo aktivitet gjuetie i zhvilluar në kundërshtim me këtë vendim do të konsiderohet i paligjshëm dhe do të sanksionohet sipas ligjit në fuqi.
Vendimi, i cili është në përputhje me legjislacionin aktual, është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të mbrojtur mjedisin dhe pasuritë natyrore të Llapit.

