Nënshkruhet memorandum për zbatimin e projektit “Edukimi Medial-Ekspertiza Nordike në Arsim” në Podujevë

0

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe përfaqësuesja nga Iniciativa EEI (Education Empowerment Initiative), Blerta Aliu, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për zbatimin e projektit “Edukimi Medial – Ekspertiza Nordike në Arsim”.

Nëpërmjet këtij memorandumi, synohet forcimi i edukimit medial, sigurisë digjitale dhe mendimit kritik tek mësimdhënësit dhe nxënësit. Po ashtu, Komuna dhe EEI synojnë të promovojnë një qasje moderne, gjithëpërfshirëse dhe të sigurt në arsim, e cila i ndihmon mësimdhënësit dhe nxënësit të zhvillojnë aftësi për të lundruar me përgjegjësi në botën digjitale.

Kryetari Bulliqi theksoi se në kohën e përdorimit të madh të teknologjisë dhe dezinformatave të shumta që shpëndahen nëpër platforma të ndryshme digjitale, ky projekt rreth edukimit medial është mëse i nevojshëm për mësimdhënësit dhe nxnësit tanë.

Ky memorandum parasheh që ekspertët nordikë të zhvillojnë një program (Training of Trainers) për ekipin lokal EEI me qëllim përgatitjen e tyre për trajnimin e mësimdhënësve në shkollat e Podujevës. Pas përfundimit të programit, trajnerët e certifikuar të EEI-së do të realizojnë sesione trajnimi me 30-40 mësimdhënës në shkollat e përzgjedhura me fokus në:

• Edukim medial dhe analizë kritike të burimeve të informacionit;

• Siguri digjitale dhe sjellje të përgjegjshme në internet;

• Parandalim të dezinformimit dhe përmbajtjeve të dëmshme online, etj.

Kohëzgjatja e këtij memorandumi është 18 muaj.