Në Podujevë u shënua sot Dita Botërore e Diabetit, me një aktivitet informues të organizuar nga ekipi i Mjekësisë Familjare. Gjatë ditës, qytetarëve iu shpërndanë fletëpalosje me këshilla për parandalimin dhe menaxhimin e diabetit, ndërsa mjekët realizuan matje falas të glikemisë.
Pjesëtarët e ekipit mjekësor theksuan rëndësinë e menaxhimit të rregullt të sëmundjes, marrjen e terapisë sipas udhëzimeve mjekësore, si dhe rëndësinë e aktivitetit fizik dhe ushqimit të shëndetshëm. Sipas tyre, ndërgjegjësimi i qytetarëve për stil më të shëndetshëm jetese është çelësi për të parandaluar komplikimet që shkakton diabeti.
Kjo ditë synon të promovojë informimin dhe edukimin shëndetësor, si dhe të inkurajojë qytetarët që të kryejnë kontrolle të rregullta, pasi diagnoza e hershme dhe trajtimi adekuat kanë ndikim të madh në cilësinë e jetës së pacientëve.

