Takim informues për personat me nevoja të veçanta në kuadër të fushatës “Muaji i Mundësive të Barabarta”në Podujevë

0

Në kuadër të aktiviteteve të fushatës “Muaji i Mundësive të Barabarta për Personat me Nevoja të Veçanta”, sot është mbajtur një takim informues i organizuar nga Njësiti për të Drejtat e Njeriut i Komunës së Podujevës. Takimi u udhëhoq nga udhëheqësi i njësitit, Ahmet Ahmeti, në bashkëpunim me përfaqësuesin e Shoqatës HANDIKOS – Podujevë, Idriz Hoxha.

Qëllimi i aktivitetit ishte që personat me nevoja të veçanta të njihen më nga afër me hapësirat komunale dhe me shërbimet që ofrohen brenda Administratës së Komunës së Podujevës. Gjatë diskutimit, Ahmeti theksoi përkushtimin e komunës për mbështetjen e kësaj kategorie, duke nënvizuar rëndësinë që ata të ndihen të barabartë, të respektuar dhe të trajtuar me dinjitet në çdo zyrë dhe sektor të shërbimeve komunale.

Në bazë të vendimit të Kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi, secilit pjesëmarrës të përzgjedhur nga Shoqata HANDIKOS iu nda nga një mëditje, si shenjë vlerësimi për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre aktiv në takim.