Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme barnash të cilat po qarkullonin jashtë kanaleve zyrtare të furnizimit, gjatë një kontrolli të zhvilluar sot në një barnatore në Prishtinë. Sipas njoftimit zyrtar, produktet mjekësore mbanin banderola të shteteve të huaja dhe nuk figurojnë të jenë futur në Kosovë përmes procedurave të rregullta doganore.
Autoritetet kanë paralajmëruar se këto barna paraqesin rrezik të lartë për shëndetin e qytetarëve, pasi origjina dhe cilësia e tyre mbeten të panjohura, ndërsa kushtet e ruajtjes nuk përputhen me standardet e kërkuara.
Dogana e Kosovës ka sekuestruar të gjitha produktet e gjetura dhe ka nisur procedurat ligjore ndaj subjektit përgjegjës. Ndërkohë, kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e qarkullimit të barnave ilegale në treg.

