Policia jep detaje për aksidentin fatal në magjistralen Mitrovicë–Leposaviq

0

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Mitrovicës Veriore, ka bërë të ditur detajet e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur më 09 dhjetor 2025, rreth orës 16:20, në magjistralen Mitrovicë–Leposaviq, ku u përfshinë dy automjete civile – një me targa vendore dhe një me targa të huaja.

Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se njëra nga veturat ka kaluar në shiritin e kundërt, duke u përplasur drejtpërdrejt me automjetin tjetër që po vinte në kahje të kundërt. Nga përplasja janë lënduar pesë persona: dy shoferët dhe tre pasagjerë.

Fatkeqësisht, njëri nga pasagjerët, i identifikuar me inicialet V. M. (1999), ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të Mitrovicës Veriore rreth orës 20:30. Trupi i tij është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për procedurat e mëtejshme.

Njësitë policore ndërmorën të gjitha veprimet e nevojshme në vendngjarje, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, për të shmangur tejkalimet e rrezikshme dhe për të përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, duke theksuar se çdo pakujdesi në trafik mund të rrezikojë jetë njerëzish.