Komuna e Podujevës ka shpallur njoftim/thirrje për aplikim për bizneset dhe organizatat joqeveritare lokale, për shfrytëzimin e pesë shtëpizave të drurit në kuadër të aktivitetit festiv “Ditët e Fundvitit 2025”.
Sipas njoftimit zyrtar, aktiviteti do të zhvillohet nga 22 dhjetor 2025 deri më 16 janar 2026, në sheshet “Ali Ajeti” dhe “Zahir Pajaziti”, duke synuar gjallërimin e jetës kulturore dhe ekonomike gjatë sezonit të fundvitit.
Nga pesë shtëpizat në dispozicion, dy janë të dedikuara për veprimtari gastronomike, ndërsa tri të tjera për biznese dhe OJQ që merren me prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore, artizanateve dhe produkteve të ngjashme. Të drejtë aplikimi kanë vetëm biznese dhe OJQ lokale të regjistruara.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është nga 16 deri më 18 dhjetor 2025, çdo ditë nga ora 08:00 deri në 16:00. Aplikimet, së bashku me dokumentacionin e kërkuar, duhet të dorëzohen në zyrën pritëse të Komunës së Podujevës.
Komuna u bën thirrje të interesuarve që të aplikojnë me kohë dhe të bëhen pjesë e organizimit të aktiviteteve festive të fundvitit në qytet.

