Policia e Kosovës paralajmëron për qarkullimin e e-mailave të rremë

0

Policia e Kosovës (PK) ka dalë me një njoftim zyrtar për opinionin publik, duke paralajmëruar për qarkullimin dhe shpërndarjen e e-mailave të rremë (false) që përmbajnë informacione jozyrtare, të cilat në mënyrë të rreme paraqiten si dokumente të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare.

Sipas PK-së, këto e-maila, të emërtuara si “Thirrje Gjyqësore”, përmbajnë numra referues të dosjeve dhe paraqiten kinse janë lëshuar nga zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm, si dhe nga institucione të tilla si Agjencia e Sigurisë Kibernetike e Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale. Policia thekson se këto dokumente nuk janë zyrtare, por janë të falsifikuara dhe përdoren për qëllime mashtruese.

Policia e Kosovës bën të ditur se, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ka nisur hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të identifikimit dhe zbulimit të autorëve të kësaj vepre penale.

Njëkohësisht, PK u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe mashtrimeve të tilla. Çdo qytetar që pranon e-maila apo dokumente të dyshimta, ftohet t’i dërgojë ato në adresën zyrtare të Policisë së Kosovës [email protected], për trajtim dhe veprime të mëtejme.