Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, respektivisht Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë sot një aksion të gjerë kundër ushtrimit të veprimtarive të kundërligjshme në fushën e shërbimeve estetike.
Aksioni po zhvillohet në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, Njësinë për Hetimin e Falsifikimit të Parasë dhe Dokumenteve Zyrtare, Inspektoratin Shëndetësor si dhe Inspektoratin e Tregut. Në kuadër të këtij operacioni po kontrollohen gjithsej 15 lokacione – biznese në territorin e Prishtinës.
Kontrollet po realizohen në bazë të Urdhrit për Kontroll dhe Sekuestrim të Përkohshëm të lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda. Sipas Prokurorisë, po sekuestrohen prova që dyshohet se lidhen drejtpërdrejt me disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimin e kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe tregtinë e ndaluar.
Hetimet kanë ngritur dyshime të arsyeshme se këto biznese, në kundërshtim me Ligjin për Produkte Medicinale, kanë ofruar shërbime estetike duke përdorur produktin medicinal botoks, ndonëse sipas legjislacionit në fuqi, këto shërbime mund të ofrohen vetëm nga personel i certifikuar.
Po ashtu, sipas të dhënave zyrtare, në Republikën e Kosovës aktualisht nuk ekziston asnjë operator ekonomik i licencuar për importin e botoksit, çka bën që ky produkt, në rrethanat e tilla, të trajtohet si ilegal.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me përkushtim të plotë ndërmarrjen e të gjitha masave ligjore ndaj çdo forme të veprimtarisë së kundërligjshme, me synim mbrojtjen e interesit publik dhe shëndetit të qytetarëve.

