Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Podujevë ka bërë të ditur dokumentacionin e nevojshëm për aplikim për vazhdimin e lejeve të punës për operatorët e autobusëve dhe minibusëve për vitin 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë operatorët që dëshirojnë të vazhdojnë veprimtarinë e tyre duhet të dorëzojnë dokumentet përkatëse, duke përmbushur kriteret ligjore dhe administrative të përcaktuara nga institucionet komunale.
Dokumentacioni i kërkuar përfshin: fletaplikacionin për aplikim, lejen e punës për vitin 2025, licencën e punës, si dhe lejen e qarkullimit për autobusët dhe minibusët. Po ashtu, automjetet duhet të kenë kapacitet mbi 8+1 ulëse dhe të jenë të certifikuara sipas standardeve përkatëse.
Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe shoferëve. Operatorët duhet të dëshmojnë se posedojnë dy shoferë me patentë shoferi të kategorisë “D”, kontrata të rregullta pune, si dhe certifikata mjekësore valide. Përveç kësaj, as kompanitë dhe as shoferët nuk duhet të kenë pengesa juridike.
Në listën e dokumenteve obligative përfshihet edhe dëshmia mbi përmbushjen e obligimeve ndaj taksës komunale, si kusht për vazhdimin e lejes së punës.
Drejtoria u bën thirrje operatorëve të autobusëve dhe minibusëve që të përgatisin me kohë dokumentacionin e kërkuar, në mënyrë që procesi i aplikimit për vitin 2026 të zhvillohet pa pengesa.

