Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Podujevës ka publikuar dokumentacionin dhe kushtet e nevojshme për aplikim për kryerjen e transportit me taksi të udhëtarëve në territorin e komunës për vitin 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, procedura e aplikimit është e ndarë në tri kategori: persona fizikë, ndërmarrje taksi dhe kompani të licencuara “Radio Taxi”.
Persona fizikë – drejtues taksie
Personat fizikë që ushtrojnë veprimtarinë e transportit taksi duhet të jenë pronarë të automjetit, të posedojnë patentë shoferi të kategorisë “B” me së paku pesë vite përvojë, të kenë biznes të regjistruar dhe të mos kenë pengesa juridike për ushtrimin e veprimtarisë. Po ashtu, kërkohet certifikatë mjekësore, dëshmi për pagesën e taksës komunale dhe leja e punës për vitin 2025.
Automjeti, përveç kushteve ligjore, duhet të ketë së paku katër dyer, kapacitet 4+1 ulëse, shenjën “TAXI” ose “RADIO-TAXI” të ndriçuar gjatë natës dhe të mos jetë më i vjetër se viti 2000.
Ndërmarrjet taksi
Ndërmarrjet që merren me transport taksi duhet të kenë licencë valide, selinë në territorin e Komunës së Podujevës dhe certifikatë të regjistrimit të biznesit. Kërkohet që të jenë pronare të së paku tre automjeteve të njëjta për nga lloji dhe ngjyra, të pajisura me taksimetra, si dhe të kenë së paku tre shoferë të punësuar me patentë të kategorisë “B” më të vjetër se pesë vite.
Ndërmarrjet duhet të posedojnë leje qarkullimi për të gjitha automjetet, librezë qarkullimi, certifikata mjekësore për shoferët, vendqëndrim dhe sistem radiolidhjeje, si dhe dëshmi për përmbushjen e obligimeve ndaj taksës komunale. Po ashtu, kërkohet leja e punës për vitin 2025 dhe mungesa e pengesave juridike.
Kompanitë “Radio Taxi”
Kompanitë e licencuara “Radio Taxi”, që veprojnë brenda territorit të Komunës së Podujevës, mund të aplikojnë për shtim të automjeteve deri në pesë, duke përmbushur të njëjtat kushte të përcaktuara.
Si vërejtje e veçantë, Drejtoria ka theksuar se numri i automjeteve duhet të jetë i barabartë me numrin e shoferëve të punësuar.
Aplikacionet merren dhe dorëzohen në Zyrën Pritëse të Komunës së Podujevës, të adresuara për Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim. Drejtoria u bën thirrje të interesuarve që të aplikojnë me kohë dhe të kompletojnë dokumentacionin e kërkuar për vitin 2026.

