Kryetari Bulliqi po qëndron në vizitë zyrtare në Kroaci

0

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me Drejorin për Shërbime Publike, Bahri Selimi, me ftesë të Kryetarit të qytetit të Koprivnicës po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Kroaci.

Të enjten, Bulliqi e Selimi kanë zhvilluar një vizitë në Prefekturën e Koprivnicës dhe Krizhevcit, ku janë pritur nga Kryetari i saj z.Tomislav Golubiċ dhe Nënkryetari z.Mario Rajn me bashkëpunëtorë.

“Gjatë këtij takimi biseduam për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave në nivel lokal dhe rajonal, shkëmbimin e përvojave e forcimin e partneritetit nëpërmjet projekteve të përbashkëta.

Me nikoqirët u dakorduam që të vazhdojë dhe të thellohet bashkëpunimi ndërmjet Podujevës e Koprivnicës”, tha Kryetari Bulliqi.

Ndërkohë, të premten delegacioni nga Komuna e Podujevës është takuar me Kryetarin e qytetit të Koprivnicës, z.Mišel Akšić dhe Nënkryetaren, znj.Ksenija Ostriž me bashkëpunëtorë.

Gjatë këtij takimi, Bulliqi theksoi se kanë diskutuar për tema të ndryshme dhe për mundësitë që ofrojnë të dy qytetet, ku mund të bashkëpunojnë në të ardhmen.