Vajzat e Klubit të Atletikës “Llapi” nga Podujeva e kanë nisur sezonin garues në ambiente të mbyllura me rezultatet më të mira të karrierës së tyre, gjatë pjesëmarrjes në Mitingun Ndërkombëtar për Seniorë, i cili u mbajt më 7 dhe 8 shkurt në Asics Arena në Sofje të Bullgarisë.
Në këtë miting prestigjioz, atletet e klubit podujevas morën pjesë për herë të parë, duke lënë mbresa me paraqitje shumë të mira në disiplinat e tyre përkatëse.
Atletja Medina Kutleshi garoi në disiplinën 400 metra, ku arriti kohën 59.73 sekonda, rezultat që i siguroi asaj 880 pikë sipas tabelave të IAAF-it. Ndërkaq, Velona Mani u paraqit në garën 800 metra, duke regjistruar kohën 2:19.73 minuta, me ç’rast grumbulloi 883 pikë të IAAF-it.
Nga Klubi i Atletikës “Llapi” është vlerësuar lartë paraqitja e atleteve dhe puna e trajnerëve, duke shprehur bindjen se këto rezultate janë tregues i një sezoni të suksesshëm.
Kryesia e klubit ka falënderuar Federatën Atletike të Kosovës për përzgjedhjen e atleteve në këtë garë ndërkombëtare, si dhe Komunën e Podujevës (DKRS) dhe kompaninë Delfin Ltd për mbështetjen e vazhdueshme ndaj klubit.





