Prej më shumë se dy javësh, ndriçimi publik në pothuajse të gjitha lagjet e Gllamnikut është jashtë funksionit, duke lënë rrugët në errësirë të plotë gjatë orëve të mbrëmjes.
Banorët thonë se, ndonëse komuna është njoftuar për problemin dhe ka premtuar se “shumë shpejt do të rregullohet”, deri tani nuk është parë asnjë ndërhyrje konkrete në terren, as nuk është bërë publik ndonjë afat zyrtar për rregullimin e situatës.
Mungesa e ndriçimit ka shtuar shqetësimet për sigurinë, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe gratë që lëvizin në mbrëmje. Banorët theksojnë gjithashtu rrezikun nga qentë endacakë, të cilët në errësirë të plotë janë vështirë të dallueshëm.
Ata kërkojnë nga komuna transparencë, plan të qartë intervenimi dhe afat konkret për rikthimin e ndriçimit publik, duke theksuar se ndriçimi nuk është luks, por shërbim bazë dhe përgjegjësi institucionale ndaj qytetarëve.

