Agim Veliu reagon për mospërfshirjen në listën zgjedhore të LDK-së

0

Ish-zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar publikisht pas mbylljes së listave zgjedhore të partisë, duke shprehur pakënaqësinë e tij për mospërfshirjen në garën elektorale.

Në reagimin e tij, Veliu thekson se angazhimi i tij në LDK nuk ka qenë asnjëherë për interesa personale, por për bindje politike, punë dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve që, sipas tij, i kanë dhënë besimin ndër vite. Ai vlerëson se mbyllja e listave dhe vendimet e marra kanë përjashtuar një garë të ndershme dhe transparente.

Sipas Veliut, deklaratat për “derë të hapur” pas mbylljes së listave janë vetëm formale dhe nuk pasqyrojnë realitetin e vendimmarrjes brenda partisë. Ai thekson se përgjegjësinë për mospërfshirjen e tij e mbajnë kryetari i LDK-së dhe përfaqësuesi i tij në Podujevë, të cilët, sipas tij, kanë shpërfillur jo vetëm gatishmërinë e tij për të garuar, por edhe kërkesat e mijëra votuesve të shprehura publikisht.

“Unë nuk kam kërkuar favore, por respekt për procesin, për anëtarësinë dhe për votuesit”, shprehet Veliu, duke shtuar se parimet dhe dinjiteti nuk janë të negociueshme.

Ai paralajmëron se do të vazhdojë të flasë hapur dhe të veprojë me përgjegjësi, duke theksuar se politika ka kuptim vetëm kur u shërben qytetarëve dhe jo kur mbyllet ndaj tyre. Në fund të reagimit, Veliu nënvizon se anëtarësia, votuesit e LDK-së dhe opinioni publik meritojnë një shpjegim për arsyet pse ai nuk është pjesë e listës zgjedhore.

Reagimin e tij e përmbyll me mesazhin: “Zoti e bekoftë LDK-në!”.