Aksident me pasojë vdekjeje në Novosellë, një i arrestuar

0

Policia ka bërë të ditur se në Novosellë të Kamenicës është arrestuar një person i dyshuar nën dyshimin se ka shkaktuar një aksident trafiku me pasojë vdekjen e një personi.

Sipas Policisë, i dyshuari, derisa ishte duke drejtuar automjetin, dyshohet se nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin mbi veturë dhe ka dalë jashtë rrugës, duke goditur barrierat anësore metalike.

Si pasojë e aksidentit, një pasagjer në veturë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Një tjetër pasagjer, si dhe vetë drejtuesi i automjetit, kanë pësuar lëndime trupore.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar dhe dërguar në mbajtje.

Hetimet rreth rastit janë në zhvillim./rekordi/