Bëhet shpërndarja e pajisjeve për përfituesit e projektit “Ngritja dhe Zhvillimi i Bizneseve” në Podujevë

0

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik e Komunës së Podujevës ka realizuar sot shpërndarjen e pajisjeve për 33 përfituesit e thirrjes së dytë në kuadër të projektit “Ngritja dhe Zhvillimi i Bizneseve”. Projekti synon mbështetjen e bizneseve të reja si dhe fuqizimin e ndërmarrësve lokalë për të nxitur zhvillimin ekonomik në komunë.

Në ceremoninë e organizuar për këtë qëllim morën pjesë Nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, dhe Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Vigan Salihu.

Nënkryetari Restelica përgëzoi përfituesit, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme institucionale për bizneset vendore. Ai vuri theks të veçantë tek roli i grave sipërmarrëse, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të këtij projekti.

I përgëzoj të gjithë përfituesit për punën dhe përkushtimin e tyre, veçanërisht gratë sipërmarrëse që sot përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të këtij projekti. Angazhimi i tyre është shembull frymëzues për komunitetin tonë. Komuna do të vazhdojë të qëndrojë krah jush, sepse zhvillimi i bizneseve vendore pa dallim është zhvillim i gjithë Podujevës”, deklaroi Restelica.

Shpërndarja e pajisjeve shënon një hap të rëndësishëm në mbështetjen e bizneseve të reja në Podujevë, duke synuar krijimin e mundësive më të mëdha për qytetarët dhe forcimin e ekonomisë lokale.