Dogana e Kosovës njofton se gjatë kontrolleve rutinore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në zonën e arritjes, janë identifikuar një sërë përpjekjesh për kontrabandë dhe mosdeklarim të mallrave dhe mjeteve monetare.
Në total janë evidentuar mbi 15 raste, ku udhëtarët kanë tentuar të fusin në territorin e Republikës së Kosovës mallra të ndryshme pa përmbushur detyrimet ligjore për deklarim.
Ndër mallrat më të shpeshta përfshihen:
– Telefona të llojit iPhone 17 Pro Max, rreth 33 copë;
– Parfume origjinale të importuara pa deklarim përkatës;
– Pjesë të ndryshme për automjete, të padeklaruara;
– Mosdeklarim i mjeteve monetare mbi 10,000 €, ku 25% e shumës është konfiskuar në përputhje me dispozitat ligjore.
Vlera e përgjithshme e mallrave të identifikuara në këto raste tejkalon shumën prej 60,000 euro.
Dogana e Kosovës vazhdon zbatimin e kontrolleve të shtuara në aeroport, si ndaj udhëtarëve ashtu edhe ndaj mallrave të transportuara përmes kargos, me qëllim mbrojtjen e tregut dhe interesit ekonomik të vendit.
Ftojmë qytetarët dhe udhëtarët që të respektojnë obligimet ligjore për deklarimin korrekt të mallrave dhe mjeteve monetare gjatë hyrjes apo daljes nga territori i Republikës së Kosovës.

