Kaos përballë shkollës “Naim Frashëri” në Podujevë — fëmijët çdo ditë nën rrezik nga veturat dhe parkimi i parregullt

0

Përballë shkollës “Naim Frashëri” në Podujevë, çdo mëngjes dhe pasdite krijohet një situatë kaotike. Dhjetëra automjete parkojnë në një hapësirë të ngushtë, ndërsa fëmijët lëvizin në afërsi të veturave, shpesh pa asnjë mbikëqyrje të rregullt.

Prindërit e nxënësve janë të shqetësuar dhe thonë se siguria e fëmijëve është në rrezik çdo ditë. Disa prej tyre tregojnë se detyrohen të lënë punën për disa minuta për të ardhur në shkollë, vetëm për t’u siguruar se fëmijët e tyre kalojnë rrugën pa rrezik.

Sipas prindërve, problemi më i madh shkaktohet nga vetë disa prindër që vijnë me vetura dhe parkojnë përballë shkollës në mënyrë të parregullt, duke bllokuar edhe hapësirën e destinuar për automjetin që transporton nxënësit me nevoja të veçanta.

Në këtë zonë, nga rrethi i “Elektrokosovës” deri te shkolla “Naim Frashëri”, në orët e pikut — kur fillon ose përfundon mësimi — një veture i duhen mesatarisht 20 deri në 25 minuta për të kaluar vetëm 300 metra.

Banorët dhe prindërit kërkojnë që institucionet komunale dhe policia të ndërhyjnë urgjentisht, të vendosin rregulla të qarta parkimi dhe të sigurojnë prezencë të rregullt të policisë në oraret kritike, për të mbrojtur fëmijët nga një rrezik që tashmë është bërë përditshmëri.