Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Komunën e Podujevës ka njoftuar sot se procedura e rekrutimit për pozitën Mjek/e i/e Përgjithshëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare do të rikthehet në fazën e vlerësimit me testim me shkrim.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë duke u bazuar në konstatimet e Komisionit të Ankesave, të datës 21 nëntor 2025, lidhur me rezultatet përfundimtare të konkursit për 5 pozita të mjekut të përgjithshëm, të shpalluara më herët në Konkursin Nr.13-111/01-0049612/25 të datës 13.08.2025.
Komisioni ka rekomanduar që procesi të kthehet në fazën e vlerësimit përmes testimit me shkrim, me qëllim të garantimit të transparencës dhe respektimit të procedurave të rekrutimit. Në njoftim gjithashtu thuhet se kandidatët do të informohen me kohë lidhur me datën dhe mbajtjen e testit.
Ky hap vjen si pjesë e angazhimit institucional për një proces të drejtë dhe të paanshëm në përzgjedhjen e stafit shëndetësor, duke siguruar që çdo kandidat të ketë mundësi të barabartë në garë.

