Kryetari i fshatit Ballofc reagon ndaj Komunës së Podujevës për emërimin e U.D. drejtor në shkollën e Ballofcit

0

Kryetari i fshatit Ballofc ka reaguar publikisht lidhur me informacionet se Komuna e Podujevës ka iniciuar procedurën për emërimin e drejtorit aktual të Shkollës së Herticës si ushtrues detyre (U.D.) drejtor në Shkollën e Ballofcit.

Sipas tij, menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, ka kontaktuar Kryetarin e Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi, si dhe drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), z. Avni Fetahu. Nga DKA-ja i është konfirmuar se ekziston një plan për dërgimin e një U.D. drejtori në shkollën e Ballofcit.

Kryetari i fshatit e ka kundërshtuar këtë veprim, duke theksuar se një emërim i tillë është i kundërligjshëm, pasi drejtori i një shkolle tjetër nuk mund të mbajë dy poste njëkohësisht. Ai ka rikujtuar se shkolla e Ballofcit është e pavarësuar dhe se, sipas ligjit, duhet të hapen procedurat për konkurs publik për zgjedhjen e drejtorit.

Njëkohësisht, ai ka falënderuar qytetarët për shqetësimet dhe telefonatat e shumta, duke u bërë thirrje që të mos ndërmarrin asnjë veprim individual. Sipas tij, emërimi i një U.D. drejtori mund të shërbejë si hap paraprak për emërimin e të njëjtit si drejtor i rregullt, duke anashkaluar figura dhe veteranë të arsimit nga fshati Ballofc.

Lidhur me këtë çështje, kryetari i fshatit ka ftuar banorët që të mblidhen nesër, në ora 19:00, në Odën e Fshatit, për të diskutuar dhe shqyrtuar situatën.