Një operacion i madh policor është zhvilluar në Dumnicë të Podujevës, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali, ku është zbuluar dhe asgjësuar një parcelë e tërë e mbjellë me bimë narkotike.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në fshatin Dumnicë e Poshtme, rruga “Bajram Metolli”, në pronën e disa të dyshuarve, Policia ka zbuluar një sipërfaqe rreth 1 hektar të mbjellë me misër dhe kanabis.
Pas dy ditësh veprime në terren, më 21 shtator 2025, hetuesit kanë përfunduar ekzaminimin e parcelës dhe kanë bërë asgjësimin e gjithsej 3,490 bimëve narkotike.
Në vendngjarje janë arrestuar fillimisht katër persona, ndërsa gjatë zhvillimit të operacionit është arrestuar edhe i dyshuari i pestë, Endri Haxhiaj, shtetas i Shqipërisë.
Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë Themelore – Departamenti i Krimeve të Rënda, ndërsa njësitë policore kanë bastisur edhe pronat e të dyshuarve. /podujevasot/

