Nga krenaria në pakujdesi – “I ❤️ Podujeva” po mbytet në mbeturina, barëra të egra dhe koshe të dëmtuar

0

Një nga vendet më të dashura për qytetarët e Podujevës, ku çdo ditë bëhen qindra fotografi dhe shprehet krenaria për qytetin, po shndërrohet ngadalë në një pamje që askush s’e dëshiron ta shohë.

Simboli “I ❤️ Podujeva”, që ndriçon bukur gjatë natës dhe është bërë pjesë e identitetit të qytetit, gjatë ditës shfaqet i rrethuar nga mbeturina të shpërndara në çdo cep, barëra të egra që po mbulojnë hapësirën përreth, si dhe koshë të dëmtuara .

Pamjet tregojnë kontrastin e madh mes një Podujeve që ndriçon dhe një Podujeve që po mbytet nga pakujdesia.

Ajo që duhet të ishte një hapësirë e pastër e mirëmbajtur, është kthyer në një vend ku hedhjet pa kujdes dhe mungesa e mirëmbajtjes komunale po e shëmtojnë pamjen e qytetit.

Barërat e egra janë rritur përreth monumentit, mbeturinat janë përhapur në tokë, ndërsa koshat e dëmtuar dëshmojnë mungesën e një kujdesi elementar për hapësirat publike.

Në këtë situatë, lind pyetja e domosdoshme: a është faji te qytetarët që nuk tregojnë vetëdije, apo te shërbimet komunale që nuk po e kryejnë detyrën e tyre?

Ky vend, që dikur simbolizonte dashurinë dhe krenarinë për Podujevën, sot po bëhet pasqyrë e qartë e pakujdesisë sonë kolektive.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Komuna për pastrimin dhe rregullimin e kësaj hapësire, ndërsa apelojnë që secili të japë shembullin e tij – duke e ruajtur pastërtinë si një akt dashurie ndaj qytetit.

Natën

Ditën