Komuna e Podujevës ka nisur procesin e themelimit të përbërjes së re të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 27/2012 MPB – 03/2012 MAPL.
Sipas njoftimit zyrtar të Kryetarit të Komunës, në përbërjen e KKSB-së, përveç pozitave të parapara sipas funksionit, do të përfshihen edhe përfaqësues nga bashkësitë fetare, komunitetet etnike, Këshilli i Prindërve të Arsimit, Forca e Sigurisë së Kosovës, Këshillat Lokale për Siguri Publike, ekipi veprues për siguri në bashkësi, organizatat joqeveritare, mediat lokale, komuniteti i biznesit si dhe komuniteti i personave me aftësi të kufizuara.
Të gjitha palët e përfshira ftohen që deri më 16 janar 2026 të përcaktojnë dhe nominojnë përfaqësuesit e tyre. Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi do të themelohet nga Kuvendi i Komunës.
Konfirmimi dhe të dhënat e të nominuarve duhet të dorëzohen përmes formularit përkatës, qoftë në mënyrë elektronike në adresën [email protected], apo fizikisht në Qendrën e Shërbimit për Qytetarë në objektin e Komunës.
Njoftimi është lëshuar më 22 dhjetor 2025 nga Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

