Podujeva ka qenë nikoqire e Olimpiadës Komunale të Matematikës, një garë e rëndësishme arsimore ku morën pjesë 80 nxënës nga klasat VII deri në XII. Aktiviteti u mbajt në ambientet e SHFMU “Shaban Shala” dhe synon të nxisë dijen, logjikën dhe mendimin kritik te të rinjtë.
Gara u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe konkurruese, duke dëshmuar përgatitjen dhe potencialin e nxënësve pjesëmarrës. Komuna e Podujevës vlerësoi lart angazhimin dhe profesionalizmin e mësimdhënësve të matematikës, si dhe punën e anëtarëve të komisionit organizues, të cilët kontribuuan në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.
Nxënësve pjesëmarrës u janë uruar suksese të mëtejme në rrugëtimin e tyre arsimor, si dhe përfaqësim sa më dinjitoz në garat republikane, me synimin që arritjet e tyre të jenë burim krenarie për komunitetin dhe institucionet arsimore të Podujevës.


