Përurohet Poliklinika Specialistike në Podujevë

0

Kryeministri, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, përuruan sot Poliklinikën Specialistike në Podujevë.

Kjo poliklinikë moderne do të ofrojë 15 shërbime specialistike në fusha të ndryshme mjekësore, përfshirë repartin e hemodializës, i cili ka nisur punën një muaj më parë.

“Tashmë qytetarët e Podujevës nuk kanë më nevojë të udhëtojnë në Prishtinë për shërbime specialistike. Kemi krijuar një ambient të denjë, të pastër dhe të pajisur mirë për trajtim mjekësor cilësor,” tha Kryeministri Kurti.

Shërbimet përfshijnë: kardiologji, reumatologji, endokrinologji, kirurgji, ortopedi, pediatri, gjinekologji, neurologji, analizat laboratorike, radiologji dhe të tjera. Investimi për këtë projekt kap vlerën prej afro 2.43 milionë euro.

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, theksoi rëndësinë e këtij investimi për qytetarët:

“Ky është një moment i rëndësishëm për komunën tonë. Po realizojmë premtimet dhe po ofrojmë shërbime cilësore në kushte të standardeve bashkëkohore.”

Poliklinika pritet të përmirësojë ndjeshëm qasjen në kujdesin shëndetësor për banorët e Podujevës dhe zonave përreth.