Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve në kuadër të projektit “Ngritja dhe Zhvillimi i Bizneseve”, në të cilën janë përfshirë gjithsej 33 aplikues. Lista finale paraqet ndryshime të konsiderueshme krahasuar me listën preliminare të datës 21 dhjetor 2025, e cila përmbante 56 përfitues.
Ky reduktim është bërë pasi një numër i aplikuesve janë tërhequr nga projekti, duke nënshkruar edhe deklaratat zyrtare të tërheqjes.
Përfituesit e përzgjedhur janë vlerësuar me pikë sipas kritereve të projektit, ndërsa pajisjet e ndara përfshijnë makineri dhe pajisje të ndryshme industriale – nga makinat qepëse të tipeve të ndryshme, hekurat profesionalë me avull, deri te pajisje teknike si ngritësit hidraulikë për auto-servise apo mikserët profesionalë për brum.
Në krye të listës me më së shumti pikë renditen Filloreta Magani nga Podujeva me 92 pikë, e cila ka përfituar një makinë qepëse industriale overlluk, si dhe Makfire Bici dhe Ibadete Bahtiri me përkatësisht 91 dhe 71 pikë. Lista përfshin gjithsej 33 biznese dhe individë nga komuna e Podujevës dhe fshatrat përreth.
Drejtoria ka njoftuar se me këtë fazë përmbyllet procesi i përzgjedhjes së përfituesve, ndërsa projektet do të vazhdojnë me procedurat e mëtejshme të zbatimit.




