Takim me fermerët llapjanë për subvencionet bujqësore 2026

0

Në sallën e Kuvendit Komunal në Podujevë u mbajt takim me fermerët llapjanë, ku u diskutuan sfidat në bujqësi, kërkesat për mbështetje dhe projektet e planifikuara për vitin 2026. Në takim morën pjesë Nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Behram Latifi, si dhe zyrtarë komunalë.

Drejtori Latifi prezantoi projektet e realizuara dhe planet për vitin e ardhshëm, duke theksuar se takimi kishte karakter konsultativ dhe se kontributi i fermerëve është kyç në përcaktimin e prioriteteve dhe skemave të subvencionimit.

Nënkryetari Restelica falënderoi fermerët për angazhimin e tyre dhe njoftoi se për vitin 2026 janë paraparë mjete financiare për subvencione, përfshirë 50 mijë euro për bletari, 120 mijë euro për mekanizëm bujqësor, nga 40 mijë euro për pemëtari dhe shpezëtari, si dhe mjete për projekte zhvillimore dhe infrastrukturë bujqësore.

Gjatë diskutimit, fermerët ngritën shqetësime dhe propozime, të cilat u adresuan nga përfaqësuesit komunalë. Në përmbyllje, u theksua se Komuna e Podujevës do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin e bujqësisë lokale.