U mbajt manifestimi “Portreti i shkrimtarit Nazmi Rrahmani” në Podujevë

0

Në Galerinë e Arteve në Podujevë sot u organizua manifestimi kulturor “Portreti i shkrimtarit Nazmi Rrahmani”, një ngjarje e dedikuar nderimit të një prej figurave më të shquara të letërsisë dhe botimeve shqipe. Aktiviteti u realizua nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Bulliqi vlerësoi kontributin e profesorit dhe shkrimtarit Nazmi Rrahmani, duke theksuar rolin e tij në formësimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe edukimin e shumë gjeneratave të nxënësve të gjimnazit të Podujevës. Ai tha se Rrahmani, përveç përçimit të dijes, kultivoi dashurinë për librin, gjuhën dhe identitetin kulturor shqiptar.

Bulliqi rikujtoi se Rrahmani, si autor i një numri veprash të rëndësishme letrare, por edhe si drejtor i Shtëpisë Botuese “Rilindja”, ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e botimeve shqipe, duke mbështetur autorët e rinj dhe duke kontribuar në pasurimin e fondit letrar në periudha të ndjeshme historike e kulturore. Në shenjë mirënjohjeje, ai i dorëzoi shkrimtarit një certifikatë nderi për kontributin e tij shumëvjeçar në arsim dhe letërsi.

Në manifestim, studiuesi dhe shkrimtari Anton Nikë Berisha foli rreth veprimtarisë letrare dhe botuese të Rrahmanit, ndërsa poeti Shefqet Dibrani prezantoi një analizë të veprës “Tymi i votrës së fikur”. Pjesë e programit ishte edhe rrëfimi personal i Zejnullah Rrahmanit, vëllait të shkrimtarit, i cili solli kujtime nga jeta familjare.

Në fjalën e tij, shkrimtari Nazmi Rrahmani u shpreh mirënjohës për vlerësimin dhe organizimin e manifestimit, duke nënvizuar se tërë jetën ia ka kushtuar shkrimit dhe botimit. Ai falënderoi kryetarin Bulliqi dhe organizatorët për nderimin dhe vëmendjen ndaj veprimtarisë së tij letrare.

Manifestimi u mbyll në atmosferë nderimi e reflektimi për krijimtarinë e njërit prej personaliteteve që kanë lënë gjurmë të thella në kulturën shqiptare