U mbajt premiera e shfaqjes “3 yje dhe 3 karrige” në Teatrin “Avdush Hasani”

0

U mbajt premiera e shfaqjes “3 yje dhe 3 karrige” në Teatrin “Avdush Hasani” Podujevë, 28 tetor 2025 – Teatri “Avdush Hasani” mbrëmë hapi sezonin e tij artistik me premierën e shfaqjes “3 yje dhe 3 karrige”, me tekst të autorit Valentin Krasnogorov dhe regji të Skënder Podvoricës. Në një atmosferë plot emocion e entuziazëm, publiku podujevas u bë pjesë e një komedie që ndërthurte mjeshtërisht humorin, absurditetin dhe ndjenjat njerëzore, duke sjellë në skenë një lojë të gjallë e të sinqertë. Aktorët Ryva Kajtazi, Muhamet Zeka, Besart Zeneli, Kumrie Hoxha, Gani Morina dhe Valire Haxhijaj shkëlqyen me interpretimet e tyre, duke dëshmuar përkushtim dhe profesionalizëm në çdo moment të shfaqjes. Kjo premierë shënon një tjetër hap të rëndësishëm për Teatrin “Avdush Hasani”, i cili pas rinovimit të objektit po rikthen me plot shkëlqim jetën kulturore dhe artistike në qytet. Repriza e shfaqjes do të jepet sonte, më 28 tetor 2025, nga ora 19:00.