U mbajtën Takimet Kulturore “Kadri Kadriu” dhe Ora e Madhe Letrare “Afrim Maliqi”

0

Në Galerinë e Arteve në Podujevë u mbajtën Takimet Kulturore “Kadri Kadriu”, aktivitet tashmë tradicional që i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të vlerave letrare e kulturore, si dhe Ora e Madhe Letrare “Afrim Maliqi”.

Në këto takime morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, autorë, shkrimtarë, krijues të rinj dhe dashamirë të artit e letërsisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari Restelica theksoi rëndësinë e këtyre takimeve, duke vënë në pah figurën e Kadri Kadriut si një nga emrat e rëndësishëm të letërsisë në Podujevë dhe më gjerë. Ai u shpreh se Takimet Kulturore “Kadri Kadriu” janë një ngjarje e përvitshme që jo vetëm nderon veprën dhe kontributin e poetit e profesorit të dalluar, por edhe mban gjallë frymën e artit dhe të kulturës në komunitet.

Në kuadër të këtyre takimeve u bë ndarja e çmimeve letrare “Kadri Kadriu” për poezi.

Çmimi i tretë iu nda poezisë “Cmendi”,

çmimi i dytë poezisë “Dialog me hanën”,

ndërsa çmimi i parë iu nda poezisë “Troja ime lumprituri”.

Pas ndarjes së çmimeve “Kadri Kadriu”, u hap Ora e Madhe Letrare, ku krijuesit lexuan poezitë e tyre në garë për çmimin “Afrim Maliqi”, si dhe për çmimet inkurajuese. Gjatë kohës sa juria po vlerësonte krijimet, nxënësit e Shkollës së muzikës “Mirela” argëtuan të pranishmit me disa pika muzikore.

Çmimin “Afrim Maliqi” e fitoi Mehmet Breznica me poezinë “Urna me hirin e të parëve të mi”.

Në këtë takim u nda edhe mirënjohje – post mortem për Fatmir Halimin, për kontributin në fushën e letërsisë dhe artit.

Po ashtu, u ndanë pesë çmime inkurajuese për krijuesit:

Rudi Berisha – “Qiriu po tretet në sytë e motrës”,

Adelina Qarkaj – “Po nuk ecë me këpucët e mia, mos fol tezgjahëve”,

Albiona Januzi – “Vaji i shkrimtarit”,

Valëza Fusha – “Besianës së pathyeshme”,

Erona Sadiku – “E çmendur apo jo?”.